Zyra e Prokurorit Disiplinor

Zyra e Prokurorit Disiplinor (ZPD) është organ i ndarë dhe i pavarur që i shërben si Këshillit Gjyqësor të Kosovës ashtu edhe Këshillit Prokurorial të Kosovës. Sa i përket sistemit gjyqësor/prokurorial, ZPD është përgjegjës për hetimin e supozimeve për sjellje të pahijshme të gjyqtarëve, gjyqtarëve porotë e prokurorëve dhe paraqitjen e provave dhe lëndës pranë Komisionit Disiplinor në mbështetje të veprimeve disiplinore për sjelljen e pahijshme.

ZPD në administrimin e funksioneve të saja vepron në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. Asnjë person nuk ka të drejtë të ushtrojë ndikim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, apo të përpiqet të ushtrojë ndikim mbi funksionet e Prokurorit Disiplinor sa i përket çfarëdo hetimi, rekomandimi apo paraqitjes së një lënde pranë Komisionit Disiplinor.

ZPD është përgjegjëse për inicimin e hetimeve ndaj gjyqtarëve, gjyqtarëve porotë apo prokurorëve aty ku ekziston bazë e arsyeshme për të besuar që sjellja e pahijshme mund të ketë ndodhur si dhe për ofrimin e rekomandimeve dhe paraqitjes pranë Komisionit Disiplinor të provave në mbështetje të veprimit disiplinor.

ZPD inicion hetime në rastet kur:

  • pranë ZPD ekziston ankesa e paraqitur nga cilido person fizik apo juridik;
  • me vet iniciativë, kur ekziston bazë e arsyeshme për të besuar se një gjyqtar apo gjyqtar porotë mund të jetë përfshirë në sjellje të pahijshme.

Të gjitha ankesat, pavarësisht origjinës së tyre, dërgohen për hetim në ZPD.
ZPD heton hollësisht të gjitha çështjet që i referohen, vendos nëse rekomandimet për veprime disiplinorë duhet t’i paraqiten Komisionit Disiplinor si dhe njofton me shkrim Komisionin Disiplinor dhe gjyqtarët, gjyqtarët porotë apo prokurorë të dyshuar lidhur me rezultatin e hetimit.

ZPD ka të drejtë të thërrasë dëshmitarët si dhe dokumentet e nevojshme për hetim dhe të përcaktojë nëse rekomandimet për veprim disiplinor duhet të paraqiten tek Komisioni Disiplinor. ZPD i paraqet Komisionit Disiplinor rekomandimet për veprime disiplinore si dhe provat në mbështetje të veprimit disiplinor për sjelljen e pahijshme.